Close
Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 19
  1. #1

    Shqipëria e bukur s’është gati për emigrantët

    Shqipëria e bukur s’është gati për emigrantët


    Në linjën e autobusëve Tiranë-Athinë-Tiranë ku udhëtojnë emigrantë me një dilemë të madhe për të ardhmen.
    Greqia është në krizë, nga do t’ia mbajnë?
    Mendojnë për një emigrim të dytë, ndërsa kthimi në Shqipëri iu duket regres i mundit shumëvjeçar, sidomos për fëmijët

    Publikuar më 15.10.2012 | 15:21

    Elsa Demo

    Ida nuk kthehet se do. Po të kishte dokumente të sakta, do të kishte hapur biznesin e saj në Greqi. Biznes? Po, një dyqan fast food-i. Me përvojën që ka fituar në 15 vjet emigrim. Po, edhe po t’i kishte ato dokumente, prapë do ta mendonte. “E vërteta është se unë gjithmonë kam dashur të kthehem në Shqipëri. Nuk kam dashur të jetoj këtu. Fëmijët janë në një moshë që mund të hyjnë në shkollë. Është koha tamam.” Me gjithë pamjen prej vajze të përmbajtur, në fjalë dhe emocione, Ida Tashi është nënë, 36 vjeç. Pi duhan të dredhur, “duhan të pastër”. Ajo i ka sjellë laçkë e plaçkë dhe është vendosur me familjen, dy fëmijët, bashkëshortin dhe prindërit e tij, në periferi të Tiranës. Bëjmë bashkë rrugën me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë. Paraardhësit e saj janë nga Çamëria. Por kjo nuk përligj zgjedhjen e saj aktuale, si të ishte faktori psikologjik apo i temperamentit që e shtyn për t’i dhënë fund statusit të saj si emigrante ekonomike në Greqi. Ida po udhëton drejt Athinës për të punuar edhe dy muaj. Ajo është i vetmi personazh në autobusin e linjës Tiranë-Athinë e kthim, që ka vendosur ta rifillojë jetën në Shqipëri.

    Rruga zgjat 12 orë. Pasagjerët shprehin një lehtësim se nuk do të lënë zorrët në kthesat e Ballshit dhe të neveriten nga era e fortë e naftës dhe gazit. Po se mos më mirë rruga e re e pambaruar Tepelenë-Gjirokastër! Deri në Fier, autobusi ecën me ritmin e ngordhur të një urbani ndër-qytetas. Ndalon në kudo ku agjencia ka pikat e saj.

    Në prag të mesnatës, udhëtarët janë në dremkën e parë. Televizori transmeton “Zonjën nga qyteti”, pastaj recitalin e Artiola Toskës, më vonë paketat muzikore nga Kosova, ku këngëtarët dhe balerinat sillen në rreth. Kulmi arrin me numrat humoristikë nga Sejfulla Myftari e Hajrie Rondo për kohën e artë të piramidave apo të mjekëve popullorë. Pas mesnate, këto prodhime të TVSH që pas kaq vitesh i ngjajnë asaj këpucës së zier të Çaplinit në kasollen që lëkundet në buzë të humnerës, bëhen një me bisedat e pasagjerëve dhe kërkesat e fëmijëve që u ka dalë gjumi.

    Në pikën kufitare të Kakavijës janë të gjithë zgjuar. Këtu kalojmë 3 orë pritje. Deri sa të kontrollohen bagazhet e 10 autobusëve, cigaret dhe bisedat i kanë bërë të saponjohurit njerëz të një fati.

    Polici shqiptar afrohet me krahë të squllur të varur, me brez nën bark. Kontrolli i çantave është qesharak. Njerëzit i hapin pa teklif, zbulojnë teshat ose groshët që kanë marrë nga Shqipëria. Ka që bezdisen dhe fshihen. Një polic kontrollon me një sinjal drite të kuqe në sipërfaqe. “S’ndryshon Shqipëria. 19 vjet që mbaj mënd, kështu është. Nuk e bëjnë për kontroll droge. Po gjetën diçka më tepër se ç’duhet, si raki për shembull, ata marrin atë të tyren.” Këto duken komente të njerëzve pa gjumë e të lodhur nga pritja e gjatë, por pamja e policëve nuk i përgënjeshtron. Djaloshit S.P., aty për aty me 10 euro në dorën e policit shqiptar, iu zgjidh problemi që kishte me “një pikë të kuqe me dokumentat”.

    Po kalojmë vërtet matanë, tani që shfaqet në kabinën e kontrollit të pasaportave polici grek me kafenë e ftohtë tipike në një kavanoz me pipë të zhytur në krem.

    Kapërcimi i pikës doganore është një çlirim kolektiv. Pas kësaj të gjithë bien në gjumë deri në ndalesën e restorantit ku për pak euro mund të thyhesh urinë. Në mëngjes, zënë e zbresin një nga një në ca vende që duken të shkreta.

    Ida vë një shenjë në faqen e pambaruar të romanit “I mbyllur për arsye melankolie” i autorit Kostas Murselas dhe përpiqet që të na e thotë saktë titullin në shqip.

    Mbërrijmë në Athinë. Prej këtej e ndjekim personazhin tonë drejt e në vendin e punës. Tramvaji na lë në lagjen “Ano Petralona”. Në dyqanin e fast food-it në shërbim janë dy shqiptarë të tjerë, një vajzë dhe një djalë. Djali quhet Albert Baftjari nga Korça. 13 vjeç ishte kur hyri në kufirin grek, më këmbë, por e kthyen mbrapsht. Më ‘94 erdhi në Athinë dhe s’lëvizi më. Ka bërë çobanin dhe kamerierin. Sot e gjashtë vjet punon shpërndarës me motor te ky dyqan. “Nuk them që jeta ime rrjedh normalisht, jo. Është cenuar pak. Kanë rënë të ardhurat me 40%. Në muaj unë kam nevojë për 800 euro... Janë pagesat e shtëpisë, drita, ujë dhe ushqimi.” Alberti e prezanton veten duke pirë ngadalë kafenë e madhe greke që në baret e Shqipërisë nuk e kanë imituar akoma. Dy janë kujtimet që përmend Alberti nga Shqipëria, kaosin e ndërrimit të sistemeve dhe shokët e fëmijërisë. Ai nuk ka ndër mend të kthehet. “Shqipëria, Ballkan është akoma. Mendimet janë pak të trasha që te policia, te trafiku. Të gjithë e kanë me njëri-tjetrin: o malok, o fshatar, o çam. Kur ne jemi racistë me veten tonë, pse mos e kenë këta me ne, racizmin dhe dhunën e fjalës? Mos shiko ça thotë televizori, që tani u harruan shqiptarët dhe e filluan me pakistanezët. Nuk i kanë harruar shqiptarët, jo. Sot në Greqi është një klimë e sëmurë. Njerëzit thonë s’kam, s’kam, s’kam. Megjithatë, nuk njoh shqiptarë që duan të kthehen në Shqipëri, njoh shqiptarë që ikin sepse detyrohen. E besoj që shqiptarët këtu janë para një dileme të madhe. Po, frikë është. Thonë kanë shtëpi, por s’kanë punë. Kjo është frikë.”

    Në dyqan është bërë nxehtë. Mishi që piqet ngadalë në gaz i ngjan një shtëllunge të kërleshur llokmash. Sot duket një ditë e mbarë. Myshterinj ka, porosi vijnë. Ja ku shfaqet padroni. Jorgo Kamara ishte 18 vjeç kur erdhi nga Patra për të punuar në Athinë. Sot është 56 vjeç, ka portret të butë dhe mban gjyzlykë. Ai vesh uniformën e dyqanit dhe hyn vetë në banak. Ka 17 vitesh me këtë dyqan. Tani ka punësuar vetëm shqiptarë të cilët i quan emigrantë ekonomikë e jo politikë. Ku e shikon ai krizën? “Përpara se të fillonte kriza familjet greke blinin gjithçka, ndërsa tani blejnë vetëm më të domosdoshmet”, thotë Jorgoja ndërsa copëton një pulë të pjekur që paketohet për të shkuar në stomakun e dikujt.

    Çfarë i kanë dhënë shqiptarët Greqisë? “Në fillim janë shfrytëzuar. Dhe me ta treguar veten që janë emigrantët më të mirë që kanë kaluar në Greqi, sepse kanë bërë një jetë si ne, me ne, po i shfrytëzojnë njëlloj si emigrantët e tjerë. Kjo ka të bëjë me gjendjen që po kalon Greqia. Edhe më vështirë do të jetë.” Jorgo Kamara tregon se kohët e fundit u ka thënë fëmijëve të tij, djalit dhe vajzës: “Më falni që ju kam sjellë në jetë.” Po mbarojnë shkollën dhe për ta nuk ka treg pune. Ida, punonjësja e tij do të ikë dhe ai pak fjalë për kurajo ka për t’i dhënë. “Mërzitem që do të iki. Brenda saj është një njeri shumë i mirë, e me karakter të fortë. Besoj te guximi i saj.”

    Këtu Ida punon paradite, pastaj vrap në një punë të ngjashme pasdite, deri sa t’i japë fund dypunësimit e të kthehet në Tiranë. Do të hapë një pikë të tillë ku do të përgatisë recetat e veta. Ida është njeri krenar, krenari që thotë më mirë pa çati në Shqipëri sesa në rrënojat e Greqisë. Ida kthehet dhe shkaku nuk është Shqipëria e bukur.

    Petrit Luzi, 37 vjeç, nga Tirana:

    Vij një herë në vit për pushime. Në Tiranë kam motrat, vëllezërit. Jetoj në Athinë, kam 15 vjet që jam larguar. Punoj në ndërtim. Ka filluar kriza... si të gjithëve na ka kapur edhe neve. Akoma më e vështirë do bëhet, po sa kohë do kemi punë, do rrimë. Shqipëria është vend i përshtatëm për t’u kthyer, të tëra i ka, po pa punë s’ke ça bën, as këtu as atje.

    Anxhelo Ndoni, 17 vjeç, nga Këmishtaj i Lushnjes

    Jetoj në Greqi këtu e 17 vjet me prindërit. Kam një motër në Shqipëri. Vij çdo vit. Mendoj të iki në Amerikë ose në Kanada, Angli, Gjermani. Shqipërinë nuk e logaris aq se është afërsisht në të njëjtën situatë si me Greqinë, pak më mirë të them të vërtetën. Greqinë s’e mendoj fare se rrogat janë të ulëta, pensioni është i ultë. Unë sa mbarova shkollën dhe po pres rezultatet për shkollën e lartë. Erdha në Greqi 10 muajsh. Më pëlqente, po tani është situata shumë e keqe. E kuptojmë dhe ne krizën si kalamanj, s’na japën aq lekë sa për të jetuar. Prindërit, 55 vjeç babai, 45 vjeç mamaja, mendojnë të kthehen në Shqipëri.

    Juliana (34) dhe Lulëzim Luka (37), burrë e grua, Sektor, Lushnje

    Jetojmë në Athinë. (Gruaja) Punoj nëpër shpia. Kemi një vajzë që ka lindur atje. Vij vit për vit në Shqipëri. (Burri) Unë më rrallë. Punoj shofer, punoj në lojëra fati. Jeta në Shqipëri është e vështirë. Një javë ndejtëm, prishëm 500 evro. Shumë e shtrenjtë Shqipëria. E vështirë këtu, e vështirë atje. Nuk e dimë, do jetojmë në Greqi apo jo. Me këtë situatë, pa punë. Në Shqipëri jo njëherë. (Gruaja) Emigrimi në vend tjetër është i vështirë për letrat, për gjuhën, për fëminë, për punën. (Burri) Do ta fillojmë nga fillimi për çdo gjë. Kemi një problem madhor: ku do të jetë e ardhmja.

    Sami Petritaj, 22 vjeç, nga Berati

    Greqi kam ndenjur 4 vjet dhe tani po kthehem me pashaportë. Punoj në ndërtim. Puna ka rënë shumë, në krahasim me vitet e para. Tani mezi i marr 40 euro për 10 orë punë. Punoj në Pirgos, jetoj me dy grekë, pleq. Më duan si fëminë e tyre. Nuk them që opinioni i grekve është zbutur. Për mendimin tim shqiptarët e kanë vetë fajin se kanë lënë vazhdë shumë të fortë. Grekët janë pak racist, po njerëzit që njohin i duan. Unë nuk besoj se do gjej më mirë se këtej. Më bukur kaloj në Shqipëri. Isha tani për pushime. Por nuk ka punë. Kam prindërit në Berat, arrij i ndihmoj po dhe dua të rrugulloj jetën time. Kam menduar për vend tjetër emigrimi.

    Vasilika Qirici, 58 vjeç, nga Tirana

    Kam 15 vjet në Greqi. Kam punuar pastruese, derisa mësova gjuhën dhe rregullova dokumentat. Tani mbaj një familje, burrë e grua pleq. Për të kursyer? Ç’kisha mbledhur për këtë vit, një pesëqindshe e çova në bankë. Këtu jetoj me djalin e vogël, kam dhe një mbesë. Ne shpi flasim shqip, bile tani mora dhe kartën e Dixhitalbit 172 mijë lekë. Mbas pune shoh një çikë televizor dhe më duket vetja si në Shqipëri. Po kam një hall të madh: nuk kam mbushur moshën e pensionit dhe të kthehem, ku të punoj? Atje s’punojnë të rinjtë! Kam qenë mercolloge... E kemi ndjerë shumë këtë krizë. Djalit tim i është mbyllur piceria. Punonte kuzhinier. Në këtë moment punojmë vetëm unë dhe nusja. Ata kanë shtëpinë në Tiranë, por frika i mban të kthehen. Këtu të paktën hanë e iu del të jetojnë si njerëz. Atje edhe puna s’ka, drita s’ka, ujë s’ka.

    Doda, 33 vjeç nga Lezha

    Kam 17 vjet në Greqi. Kam ikur malit, si gjithë të tjerët. Në ndërtim punoj. Puna ka ra 70 për qind. Marr gjysmën e pagesës që kam marrë më përpara, 35 euro në ditë. Jetoj me familjen, punon edhe nusja pak që ia dalim. Kam dy fëmi. Jetoj në Korinth. Vij katër herë në vit se kam pleqtë në Shqipëri. Mendoj të kthehem, patjetër. Shqipëria më mirë më duket në krahasim me Greqinë sot për sot. Do punoj me nji firm ndërtimi po u ktheva. Shtëpinë e re e kam ba në Shën Koll të Lezhës.

    Alida Halili Gega, 33 vjeç, nga Berati

    Kam 6 vjet në Greqi me familjen. Jetojmë në Athinë. Kam hapur një dyqanin tim me pije alkoolike, freskuese. Ecën mirë deri tani biznesi, lavdi zotit! Arrita shita shtëpinë në Shqipëri dhe hapa biznesin, ndryshe nuk dilte hesapi. Kam punuar ndihmës kuzhiniere, pastroja edhe shtëpi. Burri ishte shofer. Kam provuar disfata në në Greqi, por nuk mund të them që ndaj familjes sime ka patur racizëm. Ndaj shqiptarëve të tjerë më kanë parë shumë sytë... E shikoj të vështirë të ardhmen në Greqi. Po jemi të detyruar ta mbajmë punën. Ta mbyllim, humbim gjithë fitimet që kemi ngritur deri tani. Unë dhe fëmijët duan të kthehemi, po burri jo. Kthimi më duket po aq i vështirë, sepse në Shqipëri ka tjetër ambjent, tjetër kulturë. Nuk ia kam frikën shkollimit të fëmijëve, sepse vajza (17) dhe djali (12), shkruajnë dhe flasin shumë mirë shqip.

    Stelo Dhima, nga Himara

    Jam vorioepirot, me shtetësi greke. Prindërit e mi kanë lindur në Himarë (!) atje jetojnë. Punoj në Athinë në ndërtim. Kemi 20 vjet në Greqi. Me qira jetoj, me gruan dhe vajzën. Gruaja punon pastruese. Punët janë vështirë tani, do njohje të fortë edhe rrogat janë ulur. Është mbledhur ekonomia. Në qoftë më përpara pa kujtuar prishnim dhe kishim para xhepave, tani mendohemi mirë. Po vazhdoi kjo gjendje do të ikim në shtete të tjera. Dy rrugë janë: o Gjermania, o Amerika. Edhe sot të iki në Gjermani, s’kam problem. Në verë puna tre muaj në Rumani, në ndërtim prapë.

    Kam blerë një shtëpi në Himarë, po shpresat për t’u kthyer nuk i kemi. Le që u mësuam me tjetër jetë, fëmija im u lind në Greqi. Ku mund ta shpie vajzën, çfarë t’i them? Jo se Greqia ka shumë kulturë, por Shqipëria do shumë kohë për t’u bërë. Më bën përshtypje që në shtëpinë tonë na shohin si të huaj. Ne jemi dy herë refugjatë: një herë në Greqi dhe një herë në shtëpitë tona. Kur vij, tregtarët tjetër çmim na japin neve që na shohin si të huaj dhe tjetër vendasve.

    Eda Gemi: Kam frikë për fëmijët që kthehen

    Emigracioni në Greqi është identifikuar me emigrantët shqiptarë që janë mbi 500.000. Si përballen me krizën? Deri në ç’masë kjo krizë po e përcakton rrjedhën e jetës së tyre? Me çfarë vështirësish përballen fëmijët e tyre, brezi i dytë i emigrantëve, sidomos për ato familje që vendosin të kthehen në Shqipëri?

    Eda Gemi (43) ka një përvojë të gjatë në studimin e integrimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ajo jeton prej 2 dekadash në Athinë dhe është aktive në jetën kulturore dhe politike. Në katër vitet e fundit ajo ka bërë një studim për integrimin e emigrantëve shqiptarë, parë në një vështrim krahasues me aziatët dhe evropianët lindorë. Në këtë bisedë ajo komenton situatën e emigrantëve në raport me krizën që po kalon Greqia, me rritjen e papunësisë e të taksave, me uljen e rrogave, gjë që e ndjejnë dhe ata, si 60% e forcës emigrante punëtore.

    Studimi empirik i Edës është bërë në Goridhalo dhe në Pire. Kampioni janë 270 vetë, 65% shqiptarë, 33% aziatikë që përfshin pakistanezë, indianë, dhe pjesa tjetër rusë gjeorgjanë, ukrainas.

    Si ka ndikuar kriza te emigracioni shqiptar?

    Ata që janë këtu janë të dëshpëruar dhe përballen me dilemën: në ç’drejtim do të ikin? Ata thonë që Greqia mbaroi. Shqipërinë e shohin si diçka të pashmangshme, por edhe në rast se u jepet mundësia të ikin diku tjetër, nuk mund të shkojnë pa dokumenta. Ata që kanë marrë nënshtetësinë greke, kanë përdorur shumë rrjetet greke në Europë. Në Gjermani janë dyndur shqiptarë, të ashtuquajturit vorio-epirotë. Të njëjtën gjë bëjnë në Amerikë.

    Çfarë problemi u del atyre që emigrojnë për së dyti?

    Ligji grek për rregullimin e statusit të emigrantëve ka vetëm një direktivë që njihet në Europë: Long term resident. Këtë e kanë a s’e kanë 200 vetë. Pra formalisht, asnjë s’e ka të drejtën të punojë jashtë, e kështu iu duhet të shkojnë e të bëjnë dokumentat nga fillimi. Ata që janë grekë nuk kanë asnjë problem. Rreth 11 mijë janë shqiptarët që kanë marrë nënshtetësinë me statusin e homogjenit.

    Ç’mund të thuhet për fëmijët?

    Problemi ekziston me fëmijët që kthehen. Kam intervistuar persona të tillë. Këtu kemi një brez “shumë të sëmurë” dhe të them të drejtën unë kam shumë frikë. Kthimi mbrapa për fëmijët është një regres. Prindërit e tyre që vetë vuajnë nga një sindromë e të qenit jetim gjithë jetën, sapo erdhën këtu iu imponuan atyre ndërprerjen e çdo lloj lidhjeje me Shqipërinë, me gjuhën, me të qënit shqiptar. Tani që kthehen mbrapa nuk mund t’ua heqin me shkop magjik atë që u kanë kultivuar gjatë viteve. Vuajtja e një fëmije emigranti që kthehet ka të bëjë me pikat e referimit social. Në Shqipëri ata gjejnë të tjera pika referimi. Njëherë “u dhunuan” që të duken grekë, që në publik të mos flasin shqip. E tani “dhunohen” për t’i riintegruar në Shqipëri.

    Cili është shqetësimi më akut?

    Shkolla. Kam shkruar një artikull për Stefanon i cili kur u kthye ishte 11 vjeç. Papritur pa kujtuar prindërit i thanë do kthehemi për pushimet e verës. Kishin blerë një apartament në Berat. I sollën mësuese për të mësuar shqip, ai nuk pranonte; e çuan në shkollë private, aty thanë nuk kemi “ç’i bëjmë”. Rrinte gjithë ditën në facebook dhe fliste me shokët që kishte këtej. Dilte për luajtur dhe rrihej sepse ata i thoshin “grek”. Filloi një armiqësi e hapur me prindërit. Aty iu thotë “ju më morët jetën”.

    Është gati Shqipëria për emigrantët që kthehen?

    Shteti shqiptar nuk është i përgatitur të presë njerëz të rinj që ushtrojnë trysni mbi sistemin shkollor apo në tregun e punës. Emigrantët që kthehen janë një shans historik për Shqipërinë. Para disa muajsh thuhej se është rritur kapitali cash në Shqipëri. Pak më vonë u raportua që ka një ulje dramatike të remitancave të cilat nuk shkonin për investime infrastrukture për të krijuar një standard jetese më të mirë në Shqipëri. Ekonomia shqiptare nuk mbahet më nga të ardhurat e emigracionit, roli i të cilit në rritjen e mirëqenies ka qenë i jashtëzakonshëm.

    Nga të intervistuar rezulton se një pjesë e madhe kanë blerë shtëpi në Shqipëri, kjo do të thotë se ata mendojnë që dikur mund të kthehen. Gjithashtu ata e shikojnë shumë më të vështirë riintegrimin në Shqipëri sesa në vendin nga erdhën. Identiteti i tyre është i dyzuar. Por mund të ndodhë që atë që përfituan në Greqi ta harrojnë dhe... plehrat t’i hedhin prapë nga ballkoni.

    Në raport me emigrantët e rinj, si shihen shqiptarët, nga media nga politika greke?

    Kriza ekonomike në bashkëpunim me radikalizmin e shoqërisë civile dhe të jetës politike e ka larguar vëmendjen nga tema e emigracionit. Dhe ato parti si PASOKU që e filloi me tendenca shumë pozitive ndaj emigrantëve, sidomos ndaj shqiptarëve, nuk merret më me këtë histori. Në të vërtetë, shqiptarët kanë një mosbesim absolut ndaj një identiteti kolektiv, që, kam përshtypjen e ka burimin te e kaluara e tyre në një vend komunist.

    Ka një dyfytyrësi në qëndrimin ndaj emigrantëve. Në sipërfaqe thuhet që faji është i atyre që janë të paligjshëm, që vijnë nga Azia dhe nga vendet arabe dhe që populli i thjeshtë i dallon menjëherë. Por në fakt, në momentin që shqiptarët janë maxhoritet, ata janë dhe target direkt. Në lajme ke prapë shqiptarë që vrasin, që vriten. Për arsye formale, për të tërhequr vëmendjen nga kriza, shesin pakistanezin, afganin sepse ai duket, shqiptari nuk duket. Kemi lulëzimin e forcave neonaziste dhe në partinë neonaziste “Agimi i Artë” ka një pjesë të madhe shqiptarësh. Kohët e fundit, nga 3000 firma që ata mblodhën kundër emigrantëve, 900 janë të shqiptarëve.

    Si e shpjegoni?

    Sepse shikojnë që po bie ajo që arritën me një luftë shumë të madhe. Blenë një shtëpi dhe kësaj shtëpie tani i ka rënë vlera. Shqiptarët duke parë që s’janë më target i së keqes, tani ngrihen kundër emigrantëve të tjerë. Për shembull: po të pyesësh një mikeshën tonë, ajo i urren zezakët, paçka se shtëpinë e ka dhënë me qira tek ata. Ky është primitivizëm.

    Ju si e shihni krizën greke?

    Unë e shoh si një shans historik, për të ndryshuar nga vetvetja ballkanike, gjë që do të thotë shkatërrim, sepse kjo “kërkon gjak”. Në mënyrë dialektike, Greqia do të kalojë nga një 5-vjeçar shumë i egër dhe kur të dalë nuk do të jetë e njëjta. Them 5 vjet, sepse ka mbrojtje evropiane. I duhet një mëkëmbje. Loja mbaroi.

    6 Komente
    Pa Emër
    Eshte injorance per ata shqiptare ne Greqi, qe mundohen me cdo kusht qe femijet e tyre te harrojne nga vine, duke u hequr si greke dhe ms i folur shqip.
    Per ata femije eshte me e veshtire, se hiqen ata qe s´jane.Kane probleme edhe ne Shqiperi per te folur gjuhen e prinderve.
    goni
    Po ne qofte se ju mbane ai shtet i mbushe plote fashizem rrin kurr mos ardhshi ne shqipri se jeni ka mundoni qe te beheni me greke se greku keni mbet baco ne udhkryq po greket nuk dehsiroj tju shofin sy po ju jeni b.....qqq qe perqeshni shtin tuaje per ata shtet qe eshte turpi i evropes
    dani
    artikull mjaft i mire dhe qe paraqet jeten e vertet te emigranteve, bravo gazetares dhe bravo edhe per fjalorin e rregullt shqip qe ka perdorur ne artikullin e mesiperm.
    HHR
    Artikull shume realist. Dhe neve ketej ne Canada na u deshen 10-15 vjet qe te kapeshim tamam si Kanadezet. Gjeja e mire ketej eshte qe njerezit nuk jane aq racista sa jane ne Ballkan, dhe po ashtu nenshtetesia merret per 4 vjet jo si ne Greqi qe nuk merr kurre. Zoti i ndihmofte emigrantet nga do qe jane.
    vlonjati
    E.Demo e ka prekur fenomenin e emigracionit ne te gjithe tensionin e fenomenit, eshte nje analize inteligjente dhe me vkera, uroj qe emigrantet te kthehen ne shtepite e tyre, edhe kush nuk ka shtepi do ta ndertoje gur mbi gure,,por ne vendin e vet, ne Shqiperi
    Njerezit qe kafshojne doren e atij qe i ushqen,zakonisht lepijne kepucet e atyre qe i godasin.

  2. #2
    100%shqiptare Maska e loneeagle
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Vendndodhja
    not where i want to be
    Postime
    4,224
    Me shume gjera jam dakort ne ket artikull, por qe femijet e shqiptarve qe jane rritur ne greqi diskriminohen me shume ne shqiperi se greqi se besoj. "ky brez shume i semur" ??? veshtiresi eshte por jo semundje, kam ikur 14 vjece nga shqiperia edhe kur erdhem ketu ne amerike nuk dinim asgje edhe perseri u munduam te ambientohemi kurse keta femije nuk ambientohen dot ne shqiperi?? Me culture shock se kane perjetuar shqiptaret ketu ne amerike edhe perseri e ndertuan jeten. Te thone qe ska pune edhe une jam me ata, por te tjerat jane bs.
    Ndryshuar për herë të fundit nga loneeagle : 18-10-2012 më 10:24
    I LOVE GOD

    j&g

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    04-04-2006
    Vendndodhja
    Tirone
    Postime
    8,398
    Citim Postuar më parë nga loneeagle Lexo Postimin
    Me shume gjera jam dakort ne ket artikull, por qe femijet e shqiptarve qe jane rritur ne greqi diskriminohen me shume ne shqiperi se greqi se besoj. "ky brez shume i semur" ??? veshtiresi eshte por jo semundje, kam ikur 14 vjece nga shqiperia edhe kur erdhem ketu ne amerike nuk dinim asgje edhe perseri u munduam te ambientohemi kurse keta femije nuk ambientohen dot ne shqiperi?? Me culture shock se kane perjetuar shqiptaret ketu ne amerike edhe perseri e ndertuan jeten. Te thone qe ska pune edhe une jam me ata, por te tjerat jane bs.
    Imagjino nje fshatar nga Kemishtaj qe nuk i hyn fare Shqiperia ne llogarite e se ardhmes se tij..
    pfff.. Keta njerez me mire te mos vijne me kurre ketu. Nuk kane ci duhen ketij vendi.. le te ndyjne diku tjeter me mire.
    Ptuuu fshatare injorant qe u hapen bythesh...
    Unë jam njeri i thjeshtë.
    Kënaqem me pak.
    Më mjafton më e mira.

  4. #4
    _____
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Postime
    3,623
    Citim Postuar më parë nga loneeagle Lexo Postimin
    Me shume gjera jam dakort ne ket artikull, por qe femijet e shqiptarve qe jane rritur ne greqi diskriminohen me shume ne shqiperi se greqi se besoj.
    .... lexo pak shkrimin nga numeratori

  5. #5
    E dua letërsinë Maska e Sorkadhe_Kelcyre
    Anëtarësuar
    30-07-2005
    Vendndodhja
    me ariun polar
    Postime
    2,219
    Shqiperia....

    sapo ve kemben kur zbret nga aeroplani.. e ndjen se asgje s'ka ndryshuar.. Fytyra te lodhura dhe kurioze... Akoma edhe me shume kurioze kur mberrin aty rreth mesnates.... Thua se ky fakt do te ndryshoje dicka ne ata qe sjell avioni...

    ambientimi fillon qe ne aeroport. aty njerezit bejne si te zgjuar dhe mundohen te te dalin perpara teksa pret te paraqesesh dokumentat....

    qyteteti rremuje, zhurme, fjale te pista dhe nje padurim i pakuptime ne mosrespektimin e shenjave te trafikut...

    nderkohe.. takohesh me njerez te tu.. zemra te shkrin nga "muret e akullta" qe ka vene per kohen e larguar... Femijet.. diteve ne vazhdim.. i sheh me te celur.. me te etur per te mesuar me shume mbi kalimin e kohes ne shqiperi...

    kur vjen dita per ta lene serish... zemra "e shkrire" tashme ... e zhytyr e gjitha ne dashuri e ngrohtesi te cilen do te doje ta kishe perjete prane... fillon te reagoje.. nuk i pranon me "muret e akullta".

    .. Betohesh se nje dite do te kthehesh per te mos u larguar me kurre... sepse ti aty e ke vendin... me te mirat dhe te keqiat e tij.. nuk pretendon dot te jesh dikush tjeter...
    What goes around---comes around

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e xhori
    Anëtarësuar
    25-12-2006
    Vendndodhja
    MARCHE
    Postime
    1,518
    Citim Postuar më parë nga loneeagle Lexo Postimin
    Me shume gjera jam dakort ne ket artikull, por qe femijet e shqiptarve qe jane rritur ne greqi diskriminohen me shume ne shqiperi se greqi se besoj. "ky brez shume i semur" ??? veshtiresi eshte por jo semundje, kam ikur 14 vjece nga shqiperia edhe kur erdhem ketu ne amerike nuk dinim asgje edhe perseri u munduam te ambientohemi kurse keta femije nuk ambientohen dot ne shqiperi?? Me culture shock se kane perjetuar shqiptaret ketu ne amerike edhe perseri e ndertuan jeten. Te thone qe ska pune edhe une jam me ata, por te tjerat jane bs.
    ti ike nga shqiperia 14 vjece dhe nuk shkove ne afganistan por ne amerik, ta zeme se linde ne amerik dhe kur te mbushje 14 vjec do shkoje te jetoje ne shqiperi?
    jeshét prèmè ne aliarèm
    jeshèm more jeshèm
    po drita skeshèm

  7. #7
    E dua letërsinë Maska e Sorkadhe_Kelcyre
    Anëtarësuar
    30-07-2005
    Vendndodhja
    me ariun polar
    Postime
    2,219
    Citim Postuar më parë nga 2043 Lexo Postimin
    Imagjino nje fshatar nga Kemishtaj qe nuk i hyn fare Shqiperia ne llogarite e se ardhmes se tij..
    pfff.. Keta njerez me mire te mos vijne me kurre ketu. Nuk kane ci duhen ketij vendi.. le te ndyjne diku tjeter me mire.
    Ptuuu fshatare injorant qe u hapen bythesh...
    Doc, merre njecike me shtruar... Po te analziosh tamam,, nje fshatar do ta kete shume me teper te veshire kthimin se sa nje njeri nga Tirana ta zeme. pse? si pse? a ka njeri qe nuk e di qe fshatrat shqiptare jane ne mjerim? ose ne harrim? Le te rrime shtrember e te flasim drejt.. nese nje njeri qe ka nje shtepi ne qytet dhe fundja fundit nuk eshte tmerr te kthehet... se ne shtepi te tij do shkoje... ai nga fshati.. te cilit edhe shtepia i eshte shkaterruar nga koha e larguar... do ta kete me te paimagjinueshem kthimin.. ..

    p.s. eshte kollaj te gjykosh tjetrin...
    What goes around---comes around

  8. #8
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Keto shqiptaret qe e bejne Shqiprine Afganistan jane me te hap barkun !!!

    Po te njejtet jane qe bejne si shejtona te shkathet tek check-in apo kur behet boarding apo kur vulosen pashaportat ne Tirone. Para ca vitesh vetem kur i shikoje keto tipat kur i tregonin 5€ policit per t'i marre pashaporten dhe per te hy pa radhe. Apo kur i shef kto emigrantet e Greqise si duduma neper trafik ne Shqiperi, me ca rrangalle te vjetra, qe kujtojne se i kane prej çeliku dhe vetem kur perplasen e rrezohen neper maja malesh.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e derjansi
    Anëtarësuar
    14-04-2005
    Postime
    6,730
    Citim Postuar më parë nga xhori Lexo Postimin
    ti ike nga shqiperia 14 vjece dhe nuk shkove ne afganistan por ne amerik, ta zeme se linde ne amerik dhe kur te mbushje 14 vjec do shkoje te jetoje ne shqiperi?
    ma mir pyte a ka me kthy djalin ne shqipni lol?

    j&g si thu ta kthejm H***** knej kur te mushi 15 vjeq?
    JO NEGOCIATA VETËVENDOSJE

  10. #10
    100%shqiptare Maska e loneeagle
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Vendndodhja
    not where i want to be
    Postime
    4,224
    Citim Postuar më parë nga xhori Lexo Postimin
    ti ike nga shqiperia 14 vjece dhe nuk shkove ne afganistan por ne amerik, ta zeme se linde ne amerik dhe kur te mbushje 14 vjec do shkoje te jetoje ne shqiperi?

    Nese ishte e nevojshme po do shkoja. Une kisha pare vetem shqiptare ne shqiperi edhe vetem njeher nje zezak ne tirane lol kur erdha ketu u shokova njerez nga kombe te ndryshme. gjuhen nuk e dinim asnje ne familje. Na vendosen ne klasa anglisht i beja detyrat me fjalor fjale per fjale. Udhetimi nuk ishte si ne shqiperi qe ecje kudo. Temperaturat ketu arrinin minus veshtire te ecje ose te prisje per transportin publik etc. Ta them me plot bindje me culture shock se kane vuajtuar shqiptaret ne amerike nuk eshte per shqiptaret e greqis qe kthehen ne shqiperi. Une e thashe me siper per nga gjendja ekonomike keq eshte sepse veshtire te gjesh pune, por per shkollat gjuhen kulturen etc.
    I LOVE GOD

    j&g

Faqja 0 prej 2 FillimFillim 12 FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •